13 Nëntor 2017 - Menaxhmenti i KOSTT priti në takim zyrtarë të lartë të Departmentit të Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë

Menaxhmenti i lartë i KOSTT në krye me U.D.Kryeshefin Ekzekutiv z.Kadri Kadriu, me 13 nëntor 2017 pritën në takim z.Justin Heung-zyrtar rajonal ekonomik në Byronë për Çështje Evropiane dhe Eur-Aziatike në Departmentin e Shtetit në Washington, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Agjencionit Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Misioni në Kosovë.

Zyrtarët e KOSTT njoftuan delegacionin amerikan në lidhje me rolin kyç të KOSTT në funksionimin e gjithëmbarshëm të sektorit të energjisë në Kosovë si dhe sfidat me të cilat po përballet në proceset e integrimeve në mekanizmat rajonal dhe evropian. Gjithashtu, z.Kadriu falënderoi Qeverinë amerikane për përkrahjen e gjertanishme përmes USAID-it si dhe kërkoi mbështetje për tejkalimin e sfidave  me të cilat po përballet KOSTT në ushtrimin e mandatit të saj, si pasojë e obstruksioneve nga Serbia.

Z.Heung duke falënderuar zyrtarët e KOSTT për bashkëpunim, shprehu interesimin e vazhduar të Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit në sektorin e energjisë.   

Në takim ishin prezent edhe znj.Meredith Rubin-zyrtare e lartë për ekonomi në Ambasadën e SHBA në Kosovë, z.William Trigg zv.drejtor në zyrën për rritje ekonomike në USAID dhe z.Arben Nagavci, specialist për menaxhim të projekteve. 

17nen2017 menaxhmentiikostt