19 Prill 2017 - Mbahet edicioni i dytë i Forumit të Nivelit të Lartë për Energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”

Në Forumin e Nivelit të Lartë për Energji që u organizua për të dytin vit radhazi nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe USAID u diskutua mbi Strategjinë e Energjisë të Republikës së Kosovës 2017-2026 si dhe për liberalizimin e tregut të energjisë në Kosovë. Në Forum i cili u mbajt me 18 prill 2017 në Prishtinë ku morën pjesë udhëheqësit më të lartë qeveritarë, përfshirë Kryeministrin e Kosovës z.Isa Mustafa, Ministrin e Zhvillimit Ekonomik z.Blerand Stavileci, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Greg Delawie, drejtori i zyrës së Bankës Botërore z.Marco Mantovanelli, përfaqësuesi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë z.Luigi Brusa, përfaqësues të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe IFC/NordPool, si dhe akterë të tjerë të sektorit të energjisë vendorë dhe ndërkombëtar.

Në prezentimin e mbajtur nga Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z.Mustafë Hasani, audienca u njoftua në lidhje me gjendjen aktuale të Sistemit Transmetues të Kosovës, ndikimin e investimeve të vazhdueshme në zhvillimin e rrjetit të transmisionit dhe në ngritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike nga aspekti i transmetimit, përgatitjet e nevojshme për procesin e liberalizimit të tregut si dhe obligimet që dalin për KOSTT-in nga Strategjia e re e Energjisë 2017-2026 e cila tashmë është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe pritet që së shpejti të miratohet edhe në Kuvend.

Një nga çështjet e rëndësishme të cilat i adresoi z.Hasani ishin sfidat nëpër të cilat po kalon KOSTT si pasojë e mos implementimit të Marrëveshjes për Kyçje KOSTT-ENTSO-E me të cilën KOSTT bëhet zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të zonës sinkrone të Europës Kontinentale. Me këtë rast z.Hasani shprehu shqetësimin për bllokimn e implementimit të Marrëveshjes për Kyçje nga ana e Serbisë si dhe bëri thirrje për përkrahje nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes së pavarësimit të KOSTT pasi që kjo pengesë po i shkakton KOSTT-it ngecje në zhvillimin e tregut të energjisë elektrike dhe përmbushjen e obligimeve karshi proceseve regjionale dhe obligimeve nga Traktati i Komunitetit të Energjisë për Evropën Jug-lindore.

Në kuadër të Forumit, menaxheri i planifikimit afatgjatë në KOSTT z.Gazmend Kabashi, njëherit anëtarë i grupit punues për hartimin e Strategjisë së Energjisë 2017-2026, prezentoi aspektet teknike të skenarëve të gjenerimit në kuadër të strategjisë. Pjesë e forumit “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” ishin edhe dy fokus grupe, ai mbi zhvillimet aktuale dhe të ardhshme të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë si dhe fokus grupi për liberalizimin e tregut ku drejtori i operimit të tregut në KOSTT z.Skender Gjonbalaj mbajti një prezentim rreth operimit të tregut të energjisë dhe implementimit të mekanizimit balancues në Sistemin Transmetues të Kosovës.

Në kuadër të Forumit, zv.Kryeshefi i KOSTT z.Kadri Kadriu zhvilloi një takim me palët relevante të interesit nga Kosova dhe Shqipëria ku u diskutua rreth progresit në themelimin e bursës shqiptare të energjisë (APEX), si dhe bashkërendimin e aktiviteteve për përfshirjen e Kosovës në kuadër të bursës shqiptare të energjisë.

edicioni i forumi te 6
edicioni i forumi te 5
Edicioni i forumi te dyte 1
Edicioni i forumi te dyte 2