Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT priti në takim një delegacion të lartë të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC nga Washington DC


3/16/2024

Në vazhdën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në mes të KOSTT dhe MCC, Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri me bashkëpunëtor, priti sot në takim një delegacion të lartë të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit - MCC në krye me z. Peter Jaffe – Zëvendës President, Këshilltar i Përgjithshëm i MCC-së. Gjatë takimit u diskutua rreth angazhimeve të KOSTT si njëri nga partnerët kyç në implementimin e projektit të sistemit akumulues të baterive, njëra nga të cilat do të menaxhohet nga KOSTT si dhe përgatitjet për plotësimin e detyrave që rrjedhin nga marrëveshja e Programit Kompakt e nënshkruar në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Kryeshefi informoi z. Jaffe dhe ekipin e tij për rolin dhe përgjegjësitë e KOSTT në sistemin elektroenergjetik të Kosovës, sfidat me të cilat është përballur viteve të fundit dhe projektet në të ardhmen. Me këtë rast të pranishmit vizituan edhe Qendrën Nacionale Dispeçerike në kuadër të KOSTT.

z. Zeqiri duke i falënderuar për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme, siguroi të pranishmit që KOSTT do të vazhdoj përkushtimin në përmbushjen e detyrave dhe plotësimin e kushteve gjatë procesit të implementimit të projektit të baterive.

Projekti i baterive do të ketë ndikim të theksuar në balancimin e sistemit në kohë reale si dhe do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji elektrike për qytetarët e vendit.